Ministri i Jashtëm i Italisë: Nuk përjashtohet ndërhyrja ruse në zgjedhjet italiane

Advertisement

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, deklaroi se nuk përjashtohet mundësia që Federata Ruse të përpiqet të ndikojë në zgjedhjet në Itali dhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

“Është një çështje e përgjithshme që lidhet me të gjithë Bashkimin Evropian. Nuk përjashtohet që të ketë përpjekje për të kushtëzuar zgjedhjet në vendet ku zhvillohen procese zgjedhore”, tha Tajani, teksa mbërriti në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së.

Sipas tij, masat për mbrojtjen e proceseve demokratike duhet të ndërmerren në kohë dhe jo vetëm pasi të shfaqen kërcënimet.

“Nuk përjashtoj që të ketë përpjekje nga Federata Ruse për të ndërhyrë në jetën demokratike të vendeve të Bashkimit Evropian, duke tentuar të ndikojë në zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe në vullnetin e qytetarëve”, u shpreh ai.

Tajani e cilësoi një ndërhyrje të tillë si “të papranueshme” dhe bëri thirrje për vigjilencë. Ai theksoi se Italia po forcon kapacitetet e saj për mbrojtjen kibernetike.

Ministri italian bëri të ditur se që nga 1 janari, në Ministrinë e Jashtme të Italisë funksionon një drejtori e përgjithshme përgjegjëse për sigurinë, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë operacional. Po ashtu, një qendër operative punon 24 orë në ditë për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike.

Ai përmendi edhe sulmin ndaj faqes së Ministrisë së Jashtme italiane gjatë vizitës së parë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Itali, duke theksuar se “precedentët ekzistojnë” dhe se Roma do të vazhdojë përpjekjet për mbrojtjen e proceseve demokratike.

I pyetur për një artikull të “Financial Times”, në të cilin gjenerali dhe politikani italian Roberto Vannacci cilësohet si “kalë trojan i Rusisë”, Tajani u tregua i rezervuar.

“Financial Times mund të shkruajë çfarë të dojë. Pastaj duhet të provohet ajo që thuhet. Shpresoj që kjo të jetë absolutisht e pavërtetë”, deklaroi ai.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit