Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e saj për kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës.
Osmani tha se Sejdiu i përmbush kriteret e përcaktuara më herët nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa kandidatura e tij, sipas saj, është në përputhje edhe me vendimin e Këshillit të LDK-së për krijimin e institucioneve të qëndrueshme në vend.
“Kandidatura e zotëri Sejdiut i bën nder gjithë Republikës së Kosovës. Jo vetëm që i plotëson të gjitha kriteret për të cilat ne patëm rënë dakord unanimisht në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, jo vetëm që e respekton vendimin e fundit të Këshillit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që ka kërkuar nga kryetari i LDK-së që të bëjë çmos që Kosovës t’i japë institucione”, deklaroi Osmani.
Ajo shtoi se Sejdiu, nëse zgjidhet president, do të mund të kontribuojë në mbrojtjen e demokracisë dhe Kushtetutës, si dhe në forcimin e aleancave të Kosovës, veçanërisht asaj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani vlerësoi lart edhe përvojën profesionale të Sejdiut, duke theksuar se angazhimi i tij ka qenë gjithmonë, sipas saj, në interes të Republikës së Kosovës.
“Përvoja e profesor doktor Bekim Sejdiut në të gjitha këto fusha ka qenë e jashtëzakonshme dhe gjithmonë, pa asnjë përjashtim të vetëm, ka qenë në interes të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Sipas Osmanit, tani përgjegjësia për krijimin e institucioneve stabile bie edhe mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Secili deputet i Kuvendit të Kosovës, jo vetëm ne që jemi të LDK-së, kemi një përgjegjësi historike që vendit t’i japim institucione stabile”, u shpreh ajo.
Osmani tha se është e bindur se Sejdiu është kandidat që mund t’i përmbushë këto përgjegjësi dhe se zgjedhja e tij do të ishte në të mirë të Kosovës.
Duke folur për mundësinë që Sejdiu të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend, Osmani tha se dëshiron të jetë optimiste dhe se, sipas saj, nuk ka arsye që kandidatura të refuzohet.
“Po kam dëshirë që të jem optimiste, sepse nuk ka asnjë arsye që të refuzohet. Përkundrazi, ka shumë arsye që të përkrahet”, deklaroi ajo.
E pyetur për qëndrimet e Sejdiut lidhur me çështje të ndryshme politike dhe kushtetuese, Osmani sqaroi se gjatë mandatit të saj ai kishte shërbyer si ekspert i jashtëm i presidencës.
“Profesor Sejdiu ka qenë thjesht një ekspert i jashtëm që na ka këshilluar si presidencë për një gamë të gjerë çështjesh”, tha Osmani.
Ajo përmendi kontributin e tij në çështjet që lidhen me marrëdhëniet me SHBA-në, integrimin euroatlantik, përballjen me Serbinë, si dhe çështje të ndryshme kushtetuese.
Osmani theksoi se, në rast se zgjidhet president, Sejdiu do t’i ketë vlerësimet dhe qëndrimet e tij për çështjet që do të trajtojë në këtë pozitë.
E pyetur për deklaratën e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, se kandidatura e Sejdiut është “një kurth i Albin Kurtit”, Osmani e kundërshtoi këtë vlerësim.
“Jo, LDK-ja nuk bie në kurthet e kërkujt. Ne me krenarinë më të madhe e kemi propozuar profesor Bekim Sejdiun”, tha ajo, duke shtuar se shumë anëtarë të grupit parlamentar e njohin prej vitesh kontributin e tij.
Osmani sqaroi gjithashtu se brenda LDK-së fillimisht është arritur një dakordim në parim për kriteret që duhet të plotësojë kandidati dhe se për këtë çështje, sipas saj, ka pasur vendim unanim.
“Ne në grup parlamentar jemi pajtuar për të gjitha parimet, të cilat duhet, ose kriteret që duhet t’i plotësojë një kandidat”, deklaroi ajo.
Sipas Osmanit, një prej kritereve të dakorduar ishte që kandidati të jetë jopartiak. Ajo tha se, duke i përmbushur këto kritere dhe duke marrë parasysh kontributin e tij, Sejdiu e meriton mbështetjen e LDK-së.
Në fund, Osmani tha se LDK-ja është e fokusuar te vendimi i saj për të mbështetur Sejdiun dhe jo te qëndrimet e partive të tjera.
Ajo theksoi se krijimi i institucioneve funksionale është në interes të vendit dhe se shmangia e zgjedhjeve të reja do të ishte gjithashtu në interes të qytetarëve, pasi bllokadat e vazhdueshme, sipas saj, kanë shkaktuar dëme për Kosovën si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.






