Kreu i Lëvizjes Arbëria, Bekim Fazliu, ka reaguar ndaj qëndrimeve të BDI-së lidhur me rënien e numrit të nxënësve shqiptarë në shkollat e vendit.
Fazliu akuzon ish-pushtetin për keqmenaxhim dhe politizim të sistemit arsimor gjatë dy dekadave të fundit, duke pretenduar se shkollat nuk kanë pasur investimet dhe kushtet e nevojshme.
“20 vite keni punuar për vete. 20 vite keni vjedhur e jeni pasuruar për vete”, shkruan Fazliu, duke pretenduar se gjatë kësaj periudhe institucionet arsimore janë politizuar, ndërsa nxënësit janë përballur me tekste të vjetruara, të dëmtuara dhe me gabime.
Një pjesë të reagimit të tij Fazliu ia kushton edhe çështjes së gjuhës. Ai pretendon se fëmijët shqiptarë janë diskriminuar duke u obliguar të mësojnë gjuhën maqedonase, ndërsa, sipas tij, e njëjta kërkesë nuk është zbatuar në mënyrë të barabartë ndaj nxënësve maqedonas për mësimin e shqipes.
Fazliu kritikon gjithashtu kushtet në shkolla, mungesën e pajisjeve moderne dhe investimeve, si dhe problemin e bullizmit mes nxënësve.
“Dhe sot, pikërisht ju shprehni ‘habinë’ e madhe se pse paska rënë numri i nxënësve shqiptarë. E çfarë prisnit?”, shprehet ai.
Sipas Fazliut, rënia e numrit të nxënësve shqiptarë lidhet me politikat e ndjekura gjatë 20 viteve të fundit.
“Kur për 20 vite degradoni arsimin, partizoni shkollën, diskriminoni fëmijët dhe i lini shkollat pa kushte, mos u habisni që vendbanimet shqiptare boshatisen. Rënia e numrit të nxënësve shqiptarë është fatura e 20 viteve të pushtetit tuaj”, thekson Fazliu.
Në përfundim të reagimit, ai akuzon BDI-në se po përpiqet ta shfrytëzojë edhe çështjen e rënies së numrit të nxënësve për përfitime politike.






