Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë në detyrë, duke thënë se në komunat ku, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka fituar, po bllokohen buxhetet, të hyrat vetanake dhe investimet.
“Çfarë paradoksi, çfarë marrëzie. E nuk po flasim për investimet që bën qeveria në komunat e saj, larg saj. Çfarë investime ka bërë, përveç në ato që i kontrollon vetë? Po flasim për paratë e qytetarëve që i paguajnë qytetarët përmes tatimit dhe nuk mund të investohen në qytetet e tyre, sepse ua ka bllokuar Albin Kurti për me i ndëshku politikisht, se s’e keni votuar, s’e keni votuar. Tash i bllokon. Buxheti i komunës? O Albin, nuk është instrument i disiplinimit politik, a merr vesh? Nuk është diktaturë kjo, është republikë. Poshtë diktatura”, tha Rama.
Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se Asociacioni do të vazhdojë të kërkojë dialog dhe bashkëpunim institucional me Qeverinë.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga Qeveria që ta trajtojë me seriozitet dhe të hapë dialogun për zbatimin e tyre. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë bashkëpunimin institucional. Nuk kemi heshtur deri sot dhe nuk do të heshtim as në të ardhmen. Do t’i mbrojmë komunat me argumente, me ligj. Prandaj, mesazhi ynë i përbashkët është: mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi ka paraqitur edhe kërkesat e komunave, të cilat janë bërë publike gjatë protestës së zhvilluar para Qeverisë.
“Në emër të AKK, i paraqes kërkesat tona drejtuar qeverisë: Kërkojmë që qeveria ti kompensojë obligimet financiare që burojnë nga kontrata kolektive dhe që po i merren komunave përmes vendime gjyqësore dhe procedurave përmbarimore; E dyta, kërkojmë që kompensimi retroaktive për normën e përvojës së punës prej 0.5% nga marsi i vitit 2023, si dhe për vitet 2024 dhe 2025 të mbulohen nga buxheti qendror; E treta, kërkojmë rishikim të kritereve të grandit specifik për arsim, mbi 3100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim duke krijuar komunave barrë shtesë; E katërta, kërkojmë ndërprerjen e centralizimit dhe të cenimit të kompetencave komunale, përfshirë pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe kompetencat e tjera vetanake; Kërkojmë përgjegjësi institucionale, për humbjen e mbështetjes financiare të BE’së dhe për zvogëlimin e mjeteve të grandit të përformancës komunale: Kërkojmë kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet qe nga viti 2022; Kërkojmë krijimin e grandit të katërt për investime kapitale. Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve’’, ka thënë ai.
Protestës iu bashkangjitën edhe disa deputetë të partive që i udhëheqin këto komuna./Kosovapress.






