Gjithsej 55 raste të Etheve të Nilit Perëndimor janë regjistruar deri tani në shtet. Prej tyre, 53 janë konfirmuar, prej të cilëve 52 janë hospitalizuar, kumtoi në konferecën e sotme për shtyp ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Ai informoi se javën e fundit ka pasur pesë raste, dy prej të cilave janë të pakonfirmuara, që është ulje në krahasim me tre javët e mëparshme, kur kishte nga 9 në 11 raste, ndërsa ndryshime ka edhe në atë që rastet e fundit të Etheve të Nilit Perëndimor në Shkup vijnë nga pjesa veriore, verilindore e qytetit, për dallim nga më parë, kur ato u regjistruan kryesisht në pjesën jugore të qytetit.
“Gjendja aktuale është 19 hospitalizime në Klinikën për sëmundje infektive dhe gjendje febrile, nga të cilët 17 janë të konfirmuara, dy janë të pakonfirmuara”, njoftoi ministri i Shëndetësisë Klekovski.
Shkalla e vdekshmërisë deri tani është 11,5 për qind, kohëzgjatja mesatare e trajtimit është 14 ditë. Trajtimi më i gjatë zgjati 29 ditë, më i shkurtë tetë ditë.
“Kulmi i ngarkesës së Klinikën për sëmundje infektive ishte më 12 gusht, kur kishte 24 hospitalizime. Aktualisht ka 18”, shtoi Klekovski.
Ai shpjegoi se raporti meshkuj-femra është 3,7 me 1. Do të thotë, pothuaj 4 me 1 sa i përket hospitalizimeve – katër herë më shumë burra janë hospitalizizuar sesa gra. Të gjithë të vdekurit janë burra.
Klekovski informoi se hospitalizimi i parë ishte në maj. Pastaj, për disa javë, nuk ka asnjë rast të vetëm. Pastaj filloi rritja. Më 18 korrik, Instituti për shëndet publik lëshoi raportin mbi bazën e të cilit u përcaktua kjo rritje dhe filluan të zbatohen masat.
Shumica e hospitalizimeve ishin në periudhën nga 3 deri më 24 gusht.
Javën e kaluar, ka pasur tre raste të konfirmuara dhe dy të pakonfirmuara, gjithsej pesë hospitalizime këtë javë, krahasuar me 9 deri në 11 hospitalizime në tre javët paraprake.
“Ndryshim shtesë në fotografinë epidemiologjike është se nga jugu i Shkupit, rastet e reja tani janë në veri të Shkupit, po shprehem kushtimisht, ose verilindje, dhe ne po e komunikojmë këtë me Qytetin e Shkupit dhe komunat për të ndërmarrë masa adekuate në atë drejtim”, shtoi Klekovski.
Një zog i tretë, korb, rezultoi pozitiv në Ethet e Nilit Perëndimor në komunën e Karposhit pranë Teatrit të Dramës.
“Këtu do të doja t’u bëja thirrje qytetarëve, meqenëse numri i raportimeve të zogjve të ngordhur tejkalon 20-30 në ditë vetëm në Shkup, të mos raportojnë zogj të ngordhur prej kohësh, të ngrënë, të dekompozuar, sepse zogj të tillë nuk mund të testohen. Fokusi i raportimit duhet të jenë korbat. Dhe një kërkesë, meqenëse përafërsisht e dimë situatën në Shkup, do të përpiqemi të përqendrohemi te zogjtë e ngordhur jashtë Shkupit, sepse ato do të jenë gjetje epidemiologjikisht më të rëndësishme sesa gjetjet në Shkup”, tha Klekovski.
Drejtori i Klinikës për sëmundje infektive në Shkup, dr. Fadil Cana, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, informoi se aktualisht ka pesë pacientë në Klinikë në Njësinë për kujdesit intensiv.
“Në këtë moment, në Klinikën për sëmundje infektive në repartin për kujdes intensiv ka pesë pacientë, prej të cilëve të gjithë ishin në formë të rëndë klinike. Tre nga pacientët janë ekstubuar, që do të thotë se pamja e tyre klinike është përmirësuar ndjeshëm dhe presim që ata të rikuperohen shpejt. Ashtu që për momentin, dy pacientë që janë në gjendje shumë të rëndë, janë ende në respirator. Ndërsa pacientët e tjerë, për shkak se aktualisht janë hospitalizuar gjithsej 19 pacientë, janë në gjendje të mirë shëndetësore”, iu përgjigj Cana pyetjes së gazetarëve.
Ata me formë më të rëndë klinike ishin në moshë të shtyrë, bëhej fjalë për pacientë që kishin shumë sëmundje shoqëruese. Të gjithë ishin meshkuj.
Të gjithë ata që janë hospitalizuar ishin mbi 60 vjeç. Ose, 66,8 vjeç, mosha mesatare e të hospitalizuarve.
Deri tani, 28 janë shëruar dhe janë liruar në shtëpi.






