“Viti i ri shkollor 2026‑2027 fillon nesër për 238 mijë nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm. Mësimi do të zgjasë deri më 10 qershor, ndërsa për maturantët do të përfundojë më 17 maj”, informoi sot në konferencë për shtyp ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Tekstet shkollore për vitin e ri shkollor janë siguruar dhe shpërndarë me kohë në shkolla.
“Për të tretin vit me radhë, tekstet shkollore janë siguruar me kohë në tirazhin që e kanë kërkuar shkollat. Të njëjtat janë shpërndarë dhe që nesër mund t’u ndahen nxënësve. Kënaqësi është që çështja e teksteve shkollore nuk është më sfidë si në të kaluarën. Këtë vit janë siguruar 622 mijë tekste shkollore dhe janë realizuar kursime prej 50 milionë denarësh krahasuar me vitin para se ta merrja drejtimin e kësaj institucioni”, tha Janevska.
Ajo shtoi se tekste krejtësisht të reja janë siguruar për klasën e parë, të dytë dhe të tretë, për klasën e tetë, si dhe për vitin e dytë në arsimin gjimnazist.
Këtë vit në 620 nga gjithsej 1.023 objekte shkollore është futur mësimi me një turn, ndërsa është në proces zgjerimi i kapaciteteve të 14 shkollave në Shkup dhe Gradsko. Për mbështetje të nxënësve me nevoja të veçanta arsimore janë angazhuar 1.358 asistentë në shkollat fillore dhe 166 në shkollat e mesme.
Sa i përket numrit të nxënësve, vitin shkollor e fillojnë 174 mijë filloristë dhe 64 mijë gjimnazistë, ndërsa në klasën e parë janë regjistruar 14.952 nxënës të rinj. Për shkak të mungesës së nxënësve, përkohësisht mbyllen 26 shkolla të vogla, ndërsa me optimizimin e rrjetit janë shuar 433 paralelë.
“Tani të tilla i kemi bashkuar dhe prandaj në sistemin arsimor do të kemi 433 paralelë më pak këtë vit – 222 në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm”, shpjegoi ministrja, duke theksuar se asnjë mësues i punësuar rregullisht nuk është larguar.
Ministrja paralajmëroi gjithashtu se në mars 2027 të punësuarit në arsim do të marrin një rritje të re të pagave mes 7,5 dhe 10 përqind, varësisht nga shkalla e inflacionit.






