Lokalizohet zjarri në Parkun Kombëtar “Pelister”, por rreziku për përhapje mbetet i lartë

Advertisement

Zjarri që përfshiu Parkun Kombëtar “Pelister” nga ana e Prespës është lokalizuar, por rreziku për përhapjen e tij sërish mbetet i madh, ka informuar kryetari i Komunës së Manastirit.

Ai ka bërë të ditur se që nga pasditja e djeshme dhe gjatë gjithë natës ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me shërbimet kompetente për përballimin e zjarrit.

Nga Manastiri janë dërguar ekipe të Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve, ekipe nga ndërmarrjet publike me mekanizim, si dhe kompani private me makineri të rëndë, me qëllim që të ndihmojnë në shuarjen e zjarrit.

Kryetari ka informuar se është në komunikim të vazhdueshëm edhe me drejtorin e Parkut Kombëtar “Pelister”, Ivanço Toshevski, si dhe me drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.

Gjatë paradites pritet që në shuarjen e zjarrit të përfshihet edhe një helikopter, si dhe dy avionë “Air Tractor”, ndërsa në terren do të vazhdojnë të qëndrojnë ekipet nga Manastiri.

Kryetari u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të veçantë dhe të sillen me përgjegjësi në pyje, me qëllim parandalimin e zjarreve të reja dhe një katastrofe më të madhe.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit