Shqipëria do të ketë detyrim financiar ndaj buxhetit të Bashkimit Evropian pasi të bëhet anëtare e BE-së. Për këtë qëllim, Ministria e Financave ka hartuar një projektligj që përcakton mënyrën e llogaritjes, planifikimit dhe pagesës së këtij kontributi.
Pagesa nuk do të nisë menjëherë, pasi detyrimi financiar do të lindë vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas projektligjit, kontributi do të përcaktohet bazuar në sistemin financiar të BE-së dhe do të lidhet me disa tregues, përfshirë të ardhurat nga detyrimet doganore, një pjesë të të ardhurave nga TVSH-ja, të ardhurat kombëtare bruto, si dhe sasinë e mbetjeve të paketimeve plastike që nuk riciklohen.
Në draft nuk përcaktohet ende një shumë konkrete që Shqipëria do të paguajë. Përgatitja e të dhënave dhe administrimi i procesit do të kërkojë angazhimin e institucioneve si Ministria e Financave, Administrata Tatimore, Doganat dhe INSTAT-i.
Projektligji synon të krijojë kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional që Shqipëria të jetë e përgatitur për përmbushjen e detyrimeve financiare pasi të anëtarësohet në BE.
Vendet me ekonomi më të mëdha, si Gjermania dhe Franca, aktualisht kontribuojnë me shuma më të larta në buxhetin e BE-së, pasi kontributet lidhen në masë të madhe me fuqinë ekonomike të secilit shtet.






