Rreziku nga përhapja e zjarreve mbetet i lartë në vend, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

Advertisement

Rreziku nga përhapja e zjarreve në Maqedoninë e Veriut mbetet i lartë, ndërsa autoritetet kanë raportuar mbi 30 vatra zjarri në hapësira të hapura. Shumica e tyre janë shuar ose janë vënë nën kontroll, ndërsa disa ende mbeten aktive.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht për shkak të temperaturave dhe kushteve të favorshme për përhapjen e zjarreve.

“Përsëri patëm mbi 30 zjarre në hapësira të hapura, që do të thotë se numri i tyre nuk po zvogëlohet. Prandaj, edhe një herë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm, sepse edhe shkëndija më e vogël mund të shkaktojë një katastrofë të madhe”, deklaroi Stojançe Angellov nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Vetëm mbrëmjen e kaluar, në territorin e Komunës së Strumicës janë regjistruar katër zjarre. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka parandaluar përhapjen e tyre dhe dëme më të mëdha, ndërsa situata ishte veçanërisht kritike në fshatin Kuklish, ku zjarri iu afrua shtëpive.

Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, deri në orën 13:00 janë regjistruar 10 zjarre në hapësira të hapura. Shtatë prej tyre kanë qenë ende aktive, ndërsa të tjerat janë vënë nën kontroll.

Zjarre janë raportuar në komunat Studeniçan, Zelenikovë, Jegunovcë, Saraj, Çashkë, Gradsko, Kumanovë dhe Prilep.

Zjarrfikësit dhe vullnetarët vazhdojnë të jenë të angazhuar në terren për lokalizimin dhe shuarjen e vatrave aktive.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit