Ankara, 29 gusht 2026 (MIA) – Zjarre pyjore kanë shpërthyer sot në provincat turke Muglla, Antalia dhe Dijarbakir, ndërsa ekipet zjarrfikëse po vijojnë përpjekjet për shuarjen e tyre nga ajri dhe toka.
Zjarri i parë shpërtheu në një zonë bujqësore pranë fshatit Korubuku, në rrethin Sejdikemer të Mugllës. Për shkak të erërave të forta, flakët u përhapën drejt zonave pyjore dhe në drejtim të rrethit Kash në Antalia.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve të Turqisë, për shuarjen e zjarrit janë angazhuar katër avionë, 15 helikopterë, 72 autocisterna uji, gjashtë makina ndërtimore dhe rreth 450 persona.
Ekipet në terren po vazhdojnë operacionin për lokalizimin dhe shuarjen e plotë të zjarreve.






