Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për pranim në shkollën e mesme për polic, duke kundërshtuar deklaratat se shqiptarët nuk kanë pasur interesim të mjaftueshëm për të aplikuar.
Sipas BDI-së, gjithsej 105 kandidatë shqiptarë kanë aplikuar dhe kanë plotësuar kushtet për pranim, por nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve të pranuar.
Nga kjo parti thonë se të dhënat dhe listat e kandidatëve tregojnë se ka pasur interesim nga kandidatët shqiptarë dhe kërkojnë sqarime lidhur me kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes.
BDI ka kritikuar edhe qëndrimet e zëvendësministrit Astrit Iseni, i cili, sipas kësaj partie, ka dhënë shpjegime që nuk përputhen me të dhënat e listave të kandidatëve.
Sipas reagimit, nga gjithsej 310 kandidatë të pranuar, numri i kandidatëve shqiptarë është shumë i ulët. BDI kërkon që institucionet përgjegjëse të sqarojnë arsyet përse kandidatët shqiptarë që kanë plotësuar kushtet nuk janë përfshirë në listën përfundimtare.
Partia kërkon gjithashtu sqarime nëse procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në përputhje me parimet e përfaqësimit të drejtë dhe me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
“Pse 105 kandidatë shqiptarë që i plotësuan kushtet nuk u pranuan dhe pse nga 310 të pranuar shqiptarët përfaqësohen në mënyrë kaq të ulët?”, pyet BDI-ja.
Nga partia opozitare theksojnë se listat e kandidatëve dhe të dhënat për procesin e përzgjedhjes duhet të shërbejnë si bazë për një sqarim të plotë institucional mbi mënyrën e zhvillimit të procesit.






