Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka kërkuar që institucionet kompetente të shqyrtojnë deklaratat dhe qëndrimet e ministrit Ivan Stoilkoviq lidhur me Ratko Mlladiqin, i dënuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Nga LSDM-ja thonë se glorifikimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës është i sanksionuar me Kodin Penal.
Partia opozitare i është referuar nenit 407-a të Kodit Penal, i cili parasheh përgjegjësi për miratimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Gjithashtu, LSDM-ja përmend edhe nenin 319, që lidhet me nxitjen e urrejtjes, përçarjes dhe jotolerancës mbi baza kombëtare, racore ose fetare.
Në reagim, LSDM-ja kërkon që Prokuroria Publike të shqyrtojë rastin dhe të përcaktojë nëse ka elemente për përgjegjësi penale.
Partia gjithashtu i ka bërë thirrje kryeministrit Hristijan Mickoski të deklarohet nëse në Qeveri ka vend për funksionarë që, sipas tyre, glorifikojnë ose justifikojnë persona të dënuar për krime lufte.
Ivan Stoilkoviq është ministër në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve, ndërsa në reagimin e LSDM-së përmendet edhe drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq.
LSDM-ja thekson se institucionet kompetente duhet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe të përcaktojnë përgjegjësinë eventuale në rast se konstatohet shkelje e tyre.






