Serbia nuk planifikon të vendosë sistemin e vinjetave për pagesën e autostradave, ndërsa sistemi aktual bazohet në parimin “sa kilometra vozit, aq paguan”, deklaroi Darko Saviq, drejtor i sektorit për pagesën e tarifave në Ndërmarrjen Publike “Rrugët e Serbisë”.
Sipas Saviqit, sistemi i vinjetave nuk do të ishte i përshtatshëm, pasi drejtuesit do të paguanin për një periudhë të caktuar, pavarësisht distancës së kaluar.
Ai tha se një sistem i tillë mund të sjellë më pak të ardhura për mirëmbajtjen e rrugëve, veçanërisht për shkak të automjeteve të rënda që shkaktojnë dëme më të mëdha në infrastrukturë.
Sa i përket çmimeve të tarifave në krahasim me vendet e rajonit, Saviq tha se Serbia nuk është ndër vendet më të shtrenjta. Sipas tij, tarifat në Kroaci janë pothuajse dy herë më të larta për automjetet e udhëtarëve, ndërsa aktualisht vetëm Maqedonia e Veriut është më e lirë se Serbia. Ai e cilësoi Greqinë si më të shtrenjtë në krahasim me Serbinë.
Saviq bëri të ditur gjithashtu se më shumë se 50 për qind e drejtuesve përdorin pagesën elektronike të tarifave, me rreth 1.1 milion përdorues aktivë.
Ndërkohë, “Rrugët e Serbisë” planifikojnë që brenda pesë deri në gjashtë viteve të kalojnë gradualisht në sistemin MLFF, i cili mundëson pagesën elektronike të tarifave pa barriera dhe pa pika tradicionale të pagesës.
Sistemi pritet të zgjerohet edhe në pjesë të tjera të autostradave, rrugëve të shpejta dhe rrugëve kryesore.






