Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi ndërtimin e një qendre kombëtare të të dhënave, e cila synon të lidhë institucionet shtetërore në një sistem të përbashkët dhe të rrisë nivelin e mbrojtjes kibernetike të të dhënave.
Në një deklaratë në Berovë, Mickoski tha se shteti tashmë ka një qendër sekondare, përkatësisht një recovery data center në Prilep, ndërsa në kuadër të agjendës reformuese me Bashkimin Evropian është parashikuar edhe ndërtimi i një qendre kombëtare primare të të dhënave.
Sipas tij, projekti do të financohet përmes një granti evropian dhe një huaje të favorshme. Përmes sistemit të interoperabilitetit, qendra do të mundësojë lidhjen e institucioneve dhe të dhënave të tyre në një sistem të përbashkët.
Mickoski tha se aktualisht institucionet kanë mënyra të ndryshme të mbrojtjes nga sulmet kibernetike, ndërsa me sistemin e ri synohet vendosja e një mekanizmi më të centralizuar të sigurisë.
Plani parashikon që qendra primare e të dhënave të lidhet me qendrën ekzistuese sekondare në Prilep, e cila do të shërbejë si sistem rezervë në rast të defekteve apo ndërprerjes së funksionimit të sistemit kryesor.
Si nivel shtesë i mbrojtjes, Qeveria planifikon edhe krijimin e një sistemi kombëtar cloud, ku do të ruhen kopje rezervë të të dhënave të institucioneve të përfshira në sistem.
Mickoski vlerësoi se kjo infrastrukturë do të kontribuojë në rritjen e rezistencës së institucioneve ndaj sulmeve kibernetike dhe në mbrojtjen e të dhënave shtetërore dhe shërbimeve digjitale.
Duke folur për qëndrimet e opozitës ndaj projekteve të ndryshme, Mickoski tha se ajo ka shprehur kundërshtime edhe ndaj qendrave të të dhënave, minierave, hidrocentraleve, autostradave dhe investimeve të tjera.
“Ata në thelb janë kundër Maqedonisë. Sot opozita është kundër Maqedonisë dhe kjo është e vetmja shpjegim logjik”, deklaroi Mickoski.






