BDI: Nxënësit shqiptarë shtohen, ndërsa mbyllen paralelet shqipe – kërkohet rishikim i vendimit

Advertisement

 

BDI – Dega e Butelit ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në SH.F. “Petar Zdravkovski – Penko”, ku, sipas tyre, një numër i madh i fëmijëve shqiptarë po përballen me refuzim të regjistrimit në klasë të parë.

Nga BDI theksojnë se situata është veçanërisht shqetësuese duke marrë parasysh numrin e nxënësve shqiptarë në Komunën e Butelit. Sipas të dhënave të publikuara, nga gjithsej 5.276 nxënës, 2.971 janë shqiptarë, që përbëjnë 56,31% të numrit të përgjithshëm.

Sipas BDI-së, pavarësisht këtij numri, po mbyllen paralele në gjuhën shqipe, ndërsa në SH.F. “Petar Zdravkovski – Penko”, ku pretendohet se rreth 90% e nxënësve janë shqiptarë, është marrë vendim për mbylljen e një paraleleje në gjuhën shqipe.

“Është e pakuptueshme që në një shkollë ku numri i nxënësve shqiptarë është rreth 90 për qind, të merret vendim për mbylljen e një paraleleje në gjuhën shqipe, ndërkohë që ekzistojnë paralele me numër shumë të vogël nxënësish në gjuhën maqedonase”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI – Dega e Butelit kërkon përgjegjësi dhe sqarim të plotë institucional për vendimet e marra, si dhe rishqyrtimin e kërkesave të refuzuara për regjistrim.

Nga kjo parti kërkojnë gjithashtu që të rishikohet vendimi për mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe dhe që fëmijëve shqiptarë t’u sigurohen kushte të barabarta për arsimim në gjuhën e tyre amtare.

“Për fëmijët tanë kërkojmë atë që u takon: të drejtën për arsim, barazi dhe trajtim të drejtë”, përfundon reagimi i BDI-së – Degës së Butelit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit