Fillimisht, personi deklaronte se e kishte humbur lejen e drejtimit dhe paraqiste kërkesë për lëshimin e një të reje. Gjatë fotografimit për lejen e re, në sistem i shtohej një kategori më e lartë, kështu që shoferi merrte dokument të ri me të drejtë për të drejtuar edhe automjete për të cilat nuk kishte dhënë provim.
Kontrolli i brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) po heton një rast në të cilin punonjës të shërbimeve administrative të policisë u shtonin në mënyrë të paligjshme kategori në lejet e drejtimit të personave që kurrë nuk kishin dhënë provim për drejtimin e kamionëve ose autobusëve, njoftoi TV Sitel.
Sipas informacioneve të publikuara në disa media, për shtimin e paligjshëm të kategorisë C ose D paguheshin nga 1.400 euro.
“Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së ka njoftuar Prokurorinë Themelore Publike kompetente dhe, në koordinim me Prokurorinë, po ndërmerren aktivitetet përkatëse për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Me rastin është i njoftuar një prokuror nga Prokuroria Publike e Shkupit, por, sipas informacioneve të Sitelit, procedura për momentin zhvillohet brenda MPB-së. Me të duhet të përcaktohet se sa punonjës të shërbimeve administrative kanë qenë të përfshirë në shtimin e paligjshëm të kategorive, si dhe sa leje drejtimi janë lëshuar në këtë mënyrë.
Siç transmeton TV Sitel, personat që janë objekt i hetimit janë kapur në flagrancë, përkatësisht gjatë procesit të shtimit të kategorive që shoferët më parë nuk i posedonin.






