Nga 1 shtatori rikthehet treni Zelenikovë–Shkup me 8 linja në ditë

Advertisement

Nga 1 shtatori 2026 do të rikthehet lidhja hekurudhore mes Zelenikovës dhe Shkupit, me tren urban që do të qarkullojë tetë herë në ditë në të dy drejtimet.

Treni nga Zelenikova do të ndalet në stacionet Zelenikovë e Re, Oreshan, Jane Sandanski, Draçevë dhe Lisiçe, ndërsa destinacioni përfundimtar do të jetë Stacioni Hekurudhor i Shkupit.

Nisja e parë nga Zelenikova do të jetë në ora 6:20, ndërsa trenat e tjerë do të nisen në 8:30, 12:26, 14:00, 16:25, 18:30, 20:12 dhe 21:55.

Në drejtim të kundërt, nga Stacioni Hekurudhor i Shkupit, treni i parë do të niset në ora 5:32. Nisjet e tjera janë paraparë në 7:30, 11:40, 13:20, 15:42, 17:45, 19:12 dhe 20:56.

Udhëtimi nga Zelenikova deri në Shkup do të zgjasë nga 24 deri në 28 minuta, varësisht nga nisja, ndërsa në drejtimin Shkup–Zelenikovë nga 24 deri në 26 minuta.

Ky orar do të jetë në fuqi nga 1 shtatori deri më 31 dhjetor 2026.

Rikthimi i linjës pritet të jetë veçanërisht i rëndësishëm për banorët e Zelenikovës, Oreshanit, Draçevës, Lisiçes dhe zonave përreth, të cilët udhëtojnë çdo ditë drejt Shkupit për punë, shkollë apo shërbime të tjera.

Ndërkohë, në vitet e fundit numri i linjave hekurudhore në vend është zvogëluar. Aktualisht qarkullojnë dhjetë çifte trenash të udhëtarëve, ndërsa disa linja drejt Velësit dhe Manastirit janë reduktuar ose pezulluar. Gjithashtu, nuk ka trena ndërkombëtarë drejt Greqisë, Serbisë dhe Kosovës.

Trenat nga Shkupi drejt Kërçovës dhe Koçanit nuk qarkullojnë që nga maji i vitit 2021, ndërsa qytetarët e këtyre zonave vazhdojnë të përballen me mungesën e transportit hekurudhor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit