Nga fabrikat në Radovish deri te raftet e Lidl-it në disa vende evropiane – për prodhuesit maqedonas po hapet një epokë e re e konkurrueshmërisë. Gjatë vizitës së fundit të ambasadores gjermane, Sh.T. Petra Dreksler, në kapacitetet prodhuese të „Mlekarnica Gjorgievi“ dhe „Bestfood TI“ në Radovish, u diskutua për përfitimet e partneritetit me Lidl-in si urë drejt tregjeve evropiane.
„Bestfood TI“ bashkëpunon me Lidl-in që nga viti 2023 dhe tashmë prodhon produkte nga panxhari, specat dhe feferonët për markën private të Lidl-it, Freshona. Produktet e tyre deri tani janë plasuar gjatë javëve promocionale të produkteve maqedonase në Bullgari, Slloveni, Serbi dhe Kroaci. Ndërkaq, „Mlekarnica Gjorgievi“ së shpejti do të fillojë edhe prodhimin e produkteve të qumështit për markën Pilos.
Markat private janë në thelb të modelit të biznesit të Lidl-it dhe një mjet për garantimin e cilësisë së lartë dhe çmimeve të përballueshme. Prodhimi i tyre nënkupton standarde të larta të cilësisë dhe sigurisë, certifikata përkatëse dhe kontrolle të rregullta të pavarura. Kontrolli përfshin të gjithë procesin, nga lëndët e para dhe kushtet e prodhimit, deri te kontrolli përfundimtar i produktit.
Stefan Georgiev, drejtor komercial në Lidl Maqedonia e Veriut, shpjegoi se çfarë përfaqëson në të vërtetë ky model bashkëpunimi.
„Kur një kompani vendase fillon të prodhojë për markën private të Lidl-it, ajo hyn në një sistem me kërkesa të larta për cilësi, siguri dhe gjurmueshmëri. Përmbushja e këtyre kritereve kërkon investime dhe avancim, por i bën kompanitë më konkurruese dhe më të përgatitura për tregjet evropiane. Prandaj, bashkëpunimin me prodhuesit vendas e shohim si mundësi për zhvillim afatgjatë dhe mundësi të reja eksporti. Me një zinxhir efikas të furnizimit dhe bashkëpunim me kompanitë vendase, mund të ofrojmë produkte me cilësi të lartë me çmime të përballueshme, ndërsa njëkohësisht nxisim prodhimin vendas dhe eksportin“, tha Georgiev.
Ambasadorja gjermane në vend, Sh.T. Petra Dreksler, gjatë vizitës në kapacitetet prodhuese në Radovish, theksoi se përmbushja e standardeve të larta evropiane është një shtytës kyç për zhvillimin e kompanive vendase.
„Për prodhuesit maqedonas, bashkëpunimi me zinxhirët e mëdhenj tregtarë përfaqëson një urë të drejtpërdrejtë drejt tregut evropian. Zbatimi i këtyre standardeve nuk është vetëm kusht për partneritet, por edhe mekanizëm që u hap bizneseve vendase dyert drejt konkurrueshmërisë afatgjatë në hartën ekonomike evropiane – një hap kyç drejt anëtarësimit në BE“, deklaroi ambasadorja Dreksler.
Krste Gjorgiev, drejtues i „Bestfood TI“, thotë se puna para dhe pas fillimit të bashkëpunimit me Lidl-in ndryshon ndjeshëm. Kërkesat e kompanisë, veçanërisht në lidhje me certifikatën IFS për sigurinë, kanë nxitur përmirësimin e modeleve të biznesit dhe investime të konsiderueshme.
„Bashkëpunimi me Lidl-in ishte një motiv i fortë për ta avancuar më tej prodhimin tonë. Për të përmbushur standardet strikte, investuam në pajisje të reja, teknologji dhe sisteme për kontrollin e cilësisë. Ky harmonizim jo vetëm që ngriti kriteret tona, por na bëri më konkurrues dhe partner më të qëndrueshëm, të gatshëm për çdo treg evropian“, deklaroi Gjorgiev.
Adriana Paneva, drejtoreshë e „Mlekarnica Gjorgievi“, deklaroi se qumështorja vazhdon me investime në pajisje të reja për automatizimin e prodhimit.
„Standardet e Lidl-it i kemi integruar në çdo pjesë të procesit – nga blerja e qumështit të papërpunuar të deles dhe dhisë nga fermat lokale, përmes prodhimit, deri te kontrolli përfundimtar. Fillimi i prodhimit për markën Pilos është një hap i rëndësishëm për qumështoren tonë dhe për bashkëpunëtorët tanë“, deklaroi Paneva.
Nga të dyja kompanitë theksojnë se bashkëpunimi me Lidl-in po rritet dhe po përparon, ndërsa rritja e vëllimit të prodhimit dhe eksportit përmes rrjetit të marketeve Lidl është dëshmi e cilësisë së prodhimit vendas. Vizitën e ambasadores e konsiderojnë si një njohje të përpjekjeve të deritanishme dhe të besimit që partnerët ndërkombëtarë kanë në kapacitetet e të dyja kompanive.
„Bestfood TI“ dhe „Mlekarnica Gjorgievi“ vazhdojnë me investime në modernizimin dhe automatizimin e prodhimit, me qëllim që t’i përgjigjen kërkesës në rritje, si në tregun vendas, ashtu edhe në tregjet e eksportit.
Lidl deri tani ka investuar më shumë se 200 milionë euro në zhvillimin e infrastrukturës moderne në vend. Në vitin 2025, eksporti i produkteve maqedonase përmes rrjetit të Lidl-it arriti në 15.5 milionë euro, duke konfirmuar potencialin e prodhuesve vendas.
Si pjesë e Schwarz Group, një prej kompanive kryesore evropiane të tregtisë me ushqime, Lidl menaxhon rreth 12.900 markete në 31 shtete. Së shpejti pritet që Lidl t’i hapë dyert e marketeve të tij në të gjithë Maqedoninë, duke u mundësuar konsumatorëve vendas qasje në ofertën e tij cilësore me çmime të përballueshme.
0






