Drejtori i CIA-s e paralajmëroi Rusinë të mos sulmojë aleatët e NATO-s

Advertisement

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, e ka paralajmëruar Rusinë që të mos sulmojë aleatët e NATO-s gjatë vizitës së tij në Moskë, raportuan dje „Wall Street Journal“ dhe „Politico“, duke iu referuar burimeve anonime.

Ratcliffe të martën vizitoi kryeqytetin rus, por pothuajse asgjë nuk u bë publike lidhur me përmbajtjen e bisedimeve të tij, transmeton DPA.

„Politico“ raportoi se paralajmërimi i Ratcliffe ishte përqendruar në një përshkallëzim të mundshëm që do të përfshinte aleatët lindorë të NATO-s në rajonin e Baltikut. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Kremlinit të zvogëlojë mbështetjen ushtarake dhe financiare për Iranin, thuhet në raport.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencive ruse të lajmeve, konfirmoi se Ratcliffe kishte udhëtuar në Moskë për bisedime „mes shërbimeve sekrete“. Peskov, bashkëpunëtor i afërt i presidentit Vladimir Putin, theksoi se Putini nuk është takuar me Ratcliffe.

Vizita ishte me gjasë e para e Ratcliffe në Moskë në cilësinë e drejtorit të CIA-s. Vizita e fundit e njohur e një drejtori të CIA-s në Rusi ishte në vitin 2021, kur drejtori i atëhershëm William Burns udhëtoi në Moskë dhe u takua me Putinin.

Burns ishte dërguar atëherë nga presidenti amerikan Joe Biden për të ndihmuar në parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë. Megjithatë, Putini nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit