Në nisje të autostradës Shkup–Bllacë, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në një deklaratë për Ora24.tv, foli për realizimin e projekteve infrastrukturore dhe iu përgjigj kritikave të opozitës për të ardhmen e Korridorit 8 dhe rrugës Shkup–Bllacë.
Mexhiti është pyetur për realizimin e këtyre projekteve dhe për kritikat që, sipas tij, ishin bërë më herët nga opozita.
Mexhiti tha se në fillim të mandatit të kësaj qeverie kishte deklarata nga opozita se Korridori 8 do të anulohej, ndërsa rruga Shkup–Bllacë do të ndryshonte karakter dhe do të trajtohej vetëm si rrugë rajonale.
Sipas tij, zhvillimet e sotme tregojnë të kundërtën.
“Të tjerët kanë folur, ne po punojmë”, është mesazhi i Mexhitit, i cili theksoi se projektet tashmë janë në fazën e realizimit.
Ai u ndal veçanërisht te rruga Shkup–Bllacë, për të cilën tha se punimet kanë filluar dhe se kjo lidhje rrugore pritet të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe qarkullimin e mallrave mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Mexhiti theksoi gjithashtu rëndësinë e pikës One Stop Shop, duke thënë se lehtësimi i kalimit kufitar pritet të ndikojë në rritjen e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.
“Asnjëherë Shkupi dhe Prishtina nuk kanë qenë më afër”, tha Mexhiti, duke e cilësuar projektin si një hap të rëndësishëm për afrimin ekonomik dhe infrastruktural të dy vendeve.
Sipas tij, rruga Shkup–Bllacë është pritur për rreth 15 vjet, ndërsa tani projekti është i përgatitur për realizim.
Mexhiti deklaroi se projekti ka lejen e ndërtimit, mjetet financiare të garantuara dhe të gjitha kushtet e nevojshme për të kaluar në fazën e realizimit.
Ai tha se qëllimi i qeverisë është që projektet infrastrukturore të realizohen sa më shpejt, në interes të qytetarëve dhe për forcimin e lidhjeve mes Shkupit dhe Prishtinës./Ora24.tv






