Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) miratoi në seancën e 14-të vendimet dhe udhëzimet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, të cilat do të zhvillohen më 18 tetor.
Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, bëri të ditur se për organizimin e procesit zgjedhor janë planifikuar gjithsej 21,1 milionë denarë. Mjetet janë miratuar nga Qeveria në seancën e djeshme.
Nga shuma totale, 3 milionë denarë janë paraparë për reklamim politik të paguar në media, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për shpenzimet që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve.
“Shuma totale e planit financiar për mbulimin e të gjitha shpenzimeve lidhur me organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Bërvenicës më 18 tetor arrin në 21.100.000 denarë. Nga kjo shumë, 3.000.000 denarë janë paraparë për reklamim politik të paguar në media”, tha Mariçiq.
KSHZ-ja miratoi edhe ndryshimin e Planit Vjetor, me të cilin parashihet krijimi i Programit 21, të dedikuar për aktivitetet zgjedhore.
Në kuadër të përgatitjeve, do të ndahen mjete për Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Bërvenicë dhe njësinë rajonale të KSHZ-së në Tetovë. Gjithashtu, do të angazhohen inxhinierë të IT-së dhe do të zhvillohet trajnim i detyrueshëm për anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Bërvenicë.
Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen më 18 tetor 2026.






