Kryetari i studentëve të UNT-së: Provimi i jurisprudencës, në teori dhe praktikë, duhet të mbahet në shqip

Advertisement

Kryetari i studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Besar Sejdi, ka kundërshtuar propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për zhvillimin e provimit të jurisprudencës, sipas të cilit pjesa teorike do të mund të zhvillohej në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase.

Sejdi tha se studentët shqiptarë nuk pajtohen me këtë zgjidhje dhe do të vazhdojnë të kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe, si në pjesën teorike ashtu edhe në atë praktike.

“Pas gjithë atyre kërkesave, përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë është: teoria në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht. Këtë zgjidhje ne si studentë e kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë”, ka shkruar Sejdi.

Ai iu referua nenit 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke argumentuar se ligji parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat para gjykatave, prokurorive dhe institucioneve, kur ajo flitet nga të paktën 20 për qind e qytetarëve.

“Ku në ligj shkruan se teoria mund të jepet në shqip, ndërsa praktika duhet patjetër të jepet në maqedonisht?”, pyeti Sejdi.

Sipas tij, studentët kërkojnë që të sqarohet baza ligjore për ndarjen e provimit në dy gjuhë.

“Na bindni me ligj. Na tregoni nenin që e ndalon. Deri atëherë, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, teori dhe praktikë”, theksoi ai.

Reagimi i Sejdit vjen pasi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, njoftoi se do të organizojë një takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike për të prezantuar zgjidhjen ligjore dhe për të diskutuar çështjet që lidhen me organizimin e provimit në disa gjuhë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit