Ish-kandidati i VLEN-it për kryetar të Qytetit të Shkupit, Bashkim Bakiu, ka reaguar lidhur me nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë.
Bakiu thekson se për rreth 10 kilometrat e rrugës që lidh Shkupin me Kosovën ndër vite ka pasur pengesa dhe shtyrje të projektit, ndërsa, sipas tij, ajo që ka munguar ka qenë vendosmëria politike.
“I falet një gabim, tolerohet një dështim. Por kur dështimi përsëritet për dekada, ai nuk është më gabim – është paaftësi dhe mungesë interesi”, shkruan Bakiu.
Ai e vlerëson Kosovën si një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Maqedonisë së Veriut dhe thekson rëndësinë e lidhjes infrastrukturore mes dy vendeve.
Bakiu ka kritikuar edhe qeveritë e kaluara për mosrealizimin e projektit, duke ngritur veçanërisht pikëpyetje për periudhën 2020–2024.
“Qeverisë së viteve 2002–2006 mund t’i falet. Qeveritë 2008–2016 nuk patën takat. Qeveria 2016–2020 ka dështuar kundrejt Kosovës. Por qeveria 2020–2024? A nuk patët gjysmën e Qeverisë? Atëherë pse nuk e bëtë edhe ju?”, shprehet ai.
Sipas Bakiut, nisja e punimeve tregon se kur një projekt përcaktohet si prioritet, nevojitet vendosmëri për realizimin e tij.
“Kur një projekt është prioritet, duhet të ketë vendosmëri për ta realizuar. Sepse prioriteti është prioritet për shtetin, për qytetarët dhe për ata që marrin përgjegjësinë për të qeverisur”, thotë Bakiu.
Në fund, ai e përshëndet nisjen e realizimit të projektit, duke theksuar: “VLEN të thuhet: më në fund po bëhet”.






