Gjykata e Apelit në Shkup e ka hedhur poshtë si të pabazë ankesën e Prokurorisë Themelore Publike dhe ka konfirmuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit në rastin “Talir 2”.
Vendimi është marrë pas seancës së mbyllur të mbajtur më 26 gusht 2026, ku janë shqyrtuar shkresat e lëndës penale dhe propozimi i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit.
Sipas Gjykatës së Apelit, veprimet e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, në cilësinë e personit përgjegjës, kanë qenë brenda kompetencave të tij. Gjykata vlerësoi gjithashtu se prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme se Gruevski ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për financimin e partive politike.
Në vendimin e Apelit thuhet se gjatë procedurës nuk është dëshmuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se kompania e ndërtimit “Beton” kishte statusin e subjektit që ushtronte veprimtari publike në momentin kur janë lidhur kontratat me partinë politike.
Për këtë arsye, sipas gjykatës, nuk ka ekzistuar ndalesë ligjore që kompania të dhuronte mjete për partinë politike dhe as detyrim që i akuzuari, si person përgjegjës i partisë politike, t’i kthente ato mjete.
Rasti “Talir” lidhet me financimin e VMRO-DPMNE-së dhe akuzat për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, si dhe për pastrim parash dhe përfitime të tjera të kundërligjshme.
Procesi gjyqësor për këtë rast nisi në vitin 2019. Në vitin 2022, Gruevski ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me gjashtë vjet burgim. Megjithatë, në vitin 2023 Gjykata e Apelit e anuloi aktgjykimin dhe e ktheu lëndën në rigjykim.






