Petrushevski: RMV-ja nuk duhet ta humbasë revolucionin industrial, data qendrat janë e ardhmja

Advertisement

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, ka theksuar se Maqedonia duhet të zhvillojë infrastrukturën e saj për datacentra, me synim që të pozicionohet si një qendër digjitale në rajon.

Sipas Petrushevskit, tregu evropian i datacentreve po zgjerohet me shpejtësi, i nxitur nga zhvillimi i teknologjive cloud, inteligjencës artificiale dhe shërbimeve digjitale.

Ai vlerësoi se Maqedonia ka disa përparësi për tërheqjen e investimeve në këtë sektor, përfshirë pozitën gjeostrategjike, lidhjet optike dhe qasjen në rrjetin evropian përmes ENTSO-E.

Petrushevski theksoi se ndërtimi i datacentreve mund të ndikojë edhe në zhvillimin e sektorëve të tjerë, duke krijuar kërkesë për IT-ekspertë, inxhinierë, kompani të telekomunikacionit dhe të ndërtimit.

Sipas tij, konsumi i lartë i energjisë nga datacentrat mund të nxisë gjithashtu investime në burime të rinovueshme të energjisë dhe sisteme të baterive.

“Maqedonia nuk duhet ta humbasë revolucionin e ri industrial! Si inxhinier i informatikës dhe sot si deputet, te datacentrat shoh infrastrukturë kritike për të ardhmen e Maqedonisë. Pyetja nuk është nëse bota do të përdorë datacentra – do të përdorë! Pyetja është: a do të jetë Maqedonia pjesë e kësaj infrastrukture apo do t’u paguajë shteteve të tjera për shërbimet e tyre?”, shkroi Petrushevski.

Ai theksoi se zhvillimi i këtij sektori duhet të bëhet përmes planifikimit të duhur dhe respektimit të standardeve për energjinë, ujin, infrastrukturën dhe sigurinë kibernetike.

“Nuk duhet të jemi kundër datacentreve. Duhet vetëm të jenë të planifikuara mirë dhe në përputhje me standardet. Me rregulla të qarta për energjinë, ujin, infrastrukturën, sigurinë kibernetike dhe përfitimin ekonomik për shtetin, datacentrat mund ta bëjnë Maqedoninë më të fortë ekonomikisht, energjetikisht dhe digjitalisht”, deklaroi Petrushevski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit