Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, e ka cilësuar autostradën Shkup–Bllacë si një nga projektet më të rëndësishme për shqiptarët, teksa sot u hodh gurthemeli për ndërtimin e saj.
Qoku, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se ndihet krenar që ceremonia po zhvillohet në praninë e kryeministrave Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti.
Ai e cilësoi projektin si “projektin e kësaj dekade”, duke theksuar se autostrada do të lidhë më lehtë qytetarët në të dyja anët e kufirit.
Qoku kritikoi ashpër BDI-në, duke akuzuar këtë parti se për afro 20 vjet e ka përdorur projektin për qëllime elektorale dhe propagandistike.
“BDI-ja e shfrytëzoi këtë projekt për vota dhe propagandë. E premtoi në disa cikle zgjedhore dhe fitoi zgjedhje mbi këto premtime, por asnjëherë nuk e realizoi”, shkroi Qoku.
Sipas tij, gjatë periudhës së qeverisjes së BDI-së projekti nuk u avancua dhe pati tenderë të shpallur e të anuluar.
Deputeti i VLEN-it theksoi edhe lidhjet familjare dhe vëllazërore mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke e cilësuar autostradën si realizim të një ëndrre të kahmotshme.
“Sot mund të themi me krenari se po e bëjmë realitet një ëndërr të kahmotshme të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit”, përfundoi Qoku.






