Malësia e Tetovës po përballet me mungesë të nxënësve

Advertisement

Ka përfunduar regjistrimi i nxënësve në shkollat fillore të Komunës së Tetovës, ndërsa të dhënat tregojnë një rënie të theksuar të numrit të nxënësve në fshatrat malore.

Në Veshallë këtë vit nuk është regjistruar asnjë nxënës në klasën e parë, ndaj shkolla e fshatit do të vazhdojë të mbetet e mbyllur.

Në fshatin fqinj Bozovcë janë regjistruar vetëm dy nxënës në klasën e parë. Në total, në të gjitha paralelet e këtij fshati janë vetëm gjashtë nxënës: dy në klasën e parë, tre në klasën e tretë dhe një në klasën e nëntë.

Drejtori i SH.F. “Besa”, Shefajet Ramadani, tha se paralelet në Veshallë dhe Bozovcë do të vazhdojnë të funksionojnë si shkolla të mbrojtura, për shkak të pozitës së tyre të largët dhe karakterit malor të vendbanimeve.

Ndërkohë, nga Sektori për Arsim i Komunës së Tetovës thonë se në nivel të përgjithshëm, numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë është pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar shkollor.

Rënia demografike është veçanërisht e dukshme në Malësinë e Tetovës. Në Shipkovicë, vendbanimi më i madh i kësaj zone, këtë vit janë regjistruar vetëm tetë nxënës në klasën e parë.

Shpërngulja e familjeve të reja, migrimi jashtë vendit, distanca nga qyteti dhe mungesa e perspektivës në bujqësi e blegtori po ndikojnë në zvogëlimin e numrit të banorëve dhe nxënësve në këto fshatra.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit