4.2 milionë eurot për Kodin Zgjedhor nuk janë “humbur” ende, por Qeveria e RMV-së nuk tregon nëse dhe si do t’i shpëtojë

Advertisement

Mosmiratimi i Kodit Zgjedhor lë ende të paqartë fatin e 4.28 milionë eurove të lidhura me këtë reformë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në përgjigjet për Portalb.mk, Ministria e Çështjeve Evropiane nuk sqaron nëse këto mjete janë humbur përfundimisht e as nuk garanton se ato mund të kërkohen dhe të disbursohen në një fazë të mëvonshme.

Në pyetjet e dërguara nga redaksia jonë, Ministria u pyet drejtpërdrejt nëse mosmiratimi i Kodit Zgjedhor nënkupton humbjen përfundimtare të 4.28 milionë eurove apo nëse ekziston mundësia që këto mjete të kërkohen më vonë.

Përgjigjja nuk jep një afat, vendim apo konfirmim konkret për këto mjete.

Në vend të kësaj, Ministria i referohet Rregullores së BE-së 2024/1449 dhe mundësisë që Agjenda Reformuese të ndryshohet në rastet kur një reformë nuk mund të realizohet për shkak të “rrethanave objektive”. Sipas Ministrisë, përfituesi mund t’i dorëzojë Komisionit Evropian një kërkesë të arsyetuar për ndryshimin e Agjendës.

“Rregullorja (BE) 2024/1449 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e datës 14 maj 2024, për krijimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, në nenin 16 parashikon mundësinë që, nëse Agjenda Reformuese, duke përfshirë edhe kushtet përkatëse për pagesë, nuk mund të realizohet më nga përfituesi, pjesërisht ose tërësisht, për shkak të rrethanave objektive, përfituesi të mund të propozojë ndryshimin e saj duke i dorëzuar Komisionit një kërkesë të arsyetuar. Kjo çështje rregullohet gjithashtu në nenin 6, pikën 4, të Marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së.

Por nga përgjigjja e Ministrisë nuk bëhet e qartë nëse Maqedonia e Veriut tashmë ka dorëzuar një kërkesë të tillë për Kodin Zgjedhor, nëse Komisioni Evropian e ka pranuar një kërkesë të tillë apo nëse ekziston ndonjë garanci se 4.28 milionë eurot do të mund të merren në një fazë tjetër.

Ministria thotë se aktualisht po zhvillohet procesi i vlerësimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje dhe se pas këtij procesi do të merret vendim se cilat vende do të përfitojnë mjete shtesë.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit