Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-drejtorit të ARRSH-së, Gentian Gjyli, duke zëvendësuar “arrestin në shtëpi” me masën “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Vendimi u shpall të premten nga gjyqtarja Alma Kodraliu, pas kërkesës së Gjylit për shuarjen e masës së sigurisë. Ai ka qëndruar në arrest shtëpie për rreth nëntë muaj.
Të njëjtin vendim gjykata e ka marrë edhe për ish-drejtorin e KESH-it, Erald Elezi, ndaj të cilit masa e “arrestit në shtëpi” është zëvendësuar me detyrim për paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit.
Elezi po hetohet nga SPAK në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa Gjyli ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në ARRSH.
Të dy janë nën hetim për dyshime lidhur me veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.






