Neptun po hyn në një fazë të re të zhvillimit me krijimin e Neptun International, duke bashkuar operacionet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë nën një strukturë më të integruar rajonale.
Në krye të kësaj strukture është Alexandros Kosenas, CEO i Neptun International, i cili ka më shumë se 15 vjet përvojë drejtuese në Neptun Albania. Në një intervistë, ai ka folur për arsyet e krijimit të strukturës së re, planet për zhvillimin e kompanisë dhe rëndësinë e transformimit digjital.
Kosenas tha se modeli i mëparshëm, ku kompanitë operonin në mënyrë më të decentralizuar, i ka ndihmuar Neptunit të krijojë njohuri të thella për tregjet lokale. Megjithatë, sipas tij, rritja e kompanisë dhe zgjerimi në katër vende krijojnë mundësi për bashkimin e kapaciteteve dhe ekspertizës.
Neptun aktualisht operon me më shumë se 100 dyqane dhe rreth 1.400 punonjës në katër tregjet e rajonit. Qëllimi i strukturës së re është që kompanitë lokale të vazhdojnë të jenë të fokusuara te klientët dhe tregjet përkatëse, ndërsa të përfitojnë nga kapacitetet dhe standardet e përbashkëta rajonale.
Kosenas theksoi se ambicia e Neptun nuk është vetëm të zgjerojë rrjetin e shitjeve, por të kalojë nga një kompani retail në një lider digjital rajonal.
Në këtë drejtim, kompania synon të investojë në teknologji, të dhëna, platformën omnichannel, përvojën e klientit, efikasitetin operacional dhe zhvillimin e markave private dhe ekskluzive. Sipas Kosenasit, inteligjenca artificiale pritet të ketë rol gjithnjë e më të madh në personalizim, shërbimin ndaj klientit, parashikime dhe vendimmarrje.
Ai theksoi gjithashtu se transformimi digjital nuk nënkupton zëvendësimin e dyqaneve fizike.
“Teknologjia dhe dyqanet duhet të fuqizojnë njëra-tjetrën”, tha Kosenas, duke e cilësuar rrjetin fizik të Neptun si një nga avantazhet e rëndësishme të kompanisë në rajon.
Sa i përket punonjësve, Kosenas tha se struktura e re mund të krijojë mundësi për pjesëmarrje në projekte rajonale, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim të karrierës në nivel ndërkombëtar.
Sipas tij, integrimi rajonal do t’i mundësojë Neptunit gjithashtu të ketë pozicion më të fortë në marrëdhëniet me furnitorët, të koordinojë investimet në teknologji dhe të zhvillojë më shpejt koncepte të reja.
Kosenas bëri të ditur se kompania synon të vazhdojë edhe zgjerimin gjeografik, në rast se paraqiten mundësi të përshtatshme në tregje të reja.
“Neptun po përgatitet për fazën e ardhshme të rritjes”, është mesazhi që Kosenas u përcjell partnerëve, klientëve dhe punonjësve, duke theksuar se kompania synon të ndërtojë një organizatë të përgatitur jo vetëm për tregun e sotëm, por edhe për mundësitë e dekadës së ardhshme.






