Siljanovska-Davkova në Taranto me sportistët maqedonas, Maqedonia e Veriut garon në 19 sporte

Advertisement

Qyteti italian i Tarantos nga sot është qendra e sportit mesdhetar, ku Maqedonia e Veriut do të përfaqësohet me 88 sportistë në 19 nga gjithsej 33 sporte në programin e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Delegacioni maqedonas ka mbërritur në qytetin pritës, ndërsa së bashku me sportistët është edhe presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova. Ajo sot në Fshatin Olimpik u takua me përfaqësuesit maqedonas, u njoh me anëtarët e delegacionit dhe u përcolli mbështetjen e saj para fillimit të garave.

Siljanovska-Davkova do të qëndrojë dy ditë në Taranto dhe sonte do të marrë pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Lojërave, e cila do të nisë në orën 20:00. Ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në MRT 1, ndërsa një pjesë e garave do të transmetohet në MRT 3.

Sipas organizatorëve, kjo është pjesëmarrja më e madhe e Maqedonisë së Veriut deri tani në Lojërat Mesdhetare, me një delegacion prej gjithsej 130 anëtarësh, prej të cilëve 88 janë sportistë.

Sportistët maqedonas do të garojnë në atletikë, badminton, boks, çiklizëm, sporte të kuajve, skermë, gjimnastikë ritmike, xhudo, karate, qitje, not, taekwondo, tenis, triatlon dhe mundje në stil të lirë. Në program janë edhe ekipet kombëtare të femrave në hendboll dhe volejboll, përfaqësuesja e meshkujve në basketboll 3×3, si dhe kombëtarja e futbollit për meshkuj deri në 21 vjeç.

Maqedonia e Veriut tashmë ka zhvilluar edhe garën e parë në këto Lojëra. Volejbollistet humbën 3:0 ndaj Turqisë.

Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” do të zgjasin deri më 3 shtator. Kjo është pjesëmarrja e katërt e Maqedonisë së Veriut si shtet i pavarur në këtë ngjarje sportive, pas edicioneve në Mersin më 2013, Tarragona më 2018 dhe Oran më 2022.

Deri tani, Maqedonia e Veriut ka fituar gjithsej 14 medalje në Lojërat Mesdhetare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit