Filipçe: Prokuroria nuk ka konstatuar keqpërdorim apo dëm në buxhet në rastin e blerjes së spitaleve modulare

Advertisement

Kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, në konferencën e sotme për media deklaroi se vendimi i Prokurorisë për mbylljen e lëndës për prokurimin e spitaleve modulare konfirmon, sipas tij, se nuk ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe as dëm ndaj buxhetit.

Filipçe tha se pas këtij vendimi, kryeministri Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE duhet t’u kërkojnë falje familjeve të viktimave të zjarrit në spitalin modular në Tetovë, duke i akuzuar se për pesë vite e kanë përdorur tragjedinë për përplasje politike.

“Unë nuk kërkoj të më kërkojnë falje mua. Kërkoj që grupi kriminal i organizuar dhe Hristijan Mickoski t’u kërkojnë falje familjeve të viktimave. Për pesë vite kanë luajtur me ndjenjat, emocionet dhe dhimbjen e tyre. T’u kërkojnë falje edhe qytetarëve, sepse për pesë vite kanë përhapur lajme të rreme dhe kanë ndotur hapësirën publike me një narrativë të papërshtatshme”, tha Filipçe.

Ai rikujtoi se pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë kishte dhënë dorëheqje, duke e cilësuar atë si një akt moral dhe njerëzor.

“Unë pas zjarrit në Tetovë dhashë dorëheqje si akt moral dhe njerëzor. Sot shohim se kur ka kaq shumë njerëz të infektuar dhe kur ndodh rasti me ujin e ndotur në Gostivar, Hristijan Mickoski shkon në ekskursion”, deklaroi Filipçe.

Sipas tij, vendimi i Prokurorisë konfirmon se në veprimtarinë e tij nuk është konstatuar keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe as dëm financiar ndaj buxhetit.

“Prokuroria e tha qartë: nuk ka keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe nuk ka dëm ndaj buxhetit. Kjo, sipas meje, e pasqyron mënyrën se si i kam kryer të gjitha funksionet e mia – në interes të qytetarëve dhe pa i shkaktuar dëm askujt”, tha Filipçe.

Ai akuzoi Mickoskin dhe VMRO-DPMNE-në se prej pesë vitesh e kanë përdorur tragjedinë për përplasje politike dhe përhapje të, siç i quajti ai, “gënjeshtrave”.

Filipçe gjithashtu kritikoi deklaratat e fundit të Mickoskit dhe disa përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së, duke thënë se ndaj tij për vite me radhë janë përdorur etiketime dhe akuza të rënda në lidhje me tragjedinë në Tetovë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit