Bozhinovska: Transformimi digjital dhe siguria kibernetike janë kyçe për një sistem energjetik të sigurt dhe rezistent

Advertisement

Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, së bashku me përfaqësues të sektorit të IT-së nga ministria, morën pjesë sot në seminarin ,,Digjitalizimi i administratës publike – shkëmbimi i përvojave, praktikave të mira dhe mundësive për bashkëpunim me Republikën e Çekisë”, i cili u mbajt në Sallën Ceremoniale të Qeverisë, në organizim të Ministrisë së Transformimit Digjital.

Në seminar, ku u shkëmbyen përvoja ndërmjet institucioneve maqedonase dhe çeke, u theksua rëndësia e transformimit digjital për krijimin e një administrate publike më të suksesshme, më efikase dhe më të sigurt, si dhe për përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe sektorin e biznesit.

Për Ministrinë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, digjitalizimi ka një rëndësi të veçantë, pasi sistemi modern energjetik mbështetet gjithnjë e më shumë në teknologjitë digjitale, sistemet e automatizuara, infrastrukturën inteligjente dhe të dhënat në kohë reale.

„Siguria energjetike sot nuk nënkupton vetëm prodhim të sigurt dhe furnizim të qëndrueshëm me energji. Ajo nënkupton edhe sisteme digjitale të sigurta. Sa më shumë që i digjitalizojmë rrjetet dhe infrastrukturën energjetike, aq më e rëndësishme bëhet mbrojtja e tyre nga kërcënimet kibernetike. Prandaj, siguria kibernetike duhet të jetë pjesë integrale e modernizimit të sektorit energjetik”, theksoi ministrja Bozhinovska.

Në kushtet e tranzicionit të përshpejtuar energjetik, digjitalizimi mundëson menaxhim më të mirë të sistemeve energjetike, monitorim më efikas të konsumit, optimizim të prodhimit dhe reagim në kohë ndaj ndërprerjeve të mundshme.

Në të njëjtën kohë, rritja e ndërlidhjes digjitale sjell edhe rreziqe të reja, për shkak të të cilave mbrojtja e infrastrukturës kritike energjetike, siguria e sistemeve të informacionit dhe rezistenca e rrjeteve energjetike ndaj sulmeve kibernetike bëhen pjesë përbërëse e sigurisë kombëtare energjetike.

Në këtë kontekst, në seminar u hap edhe tema e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës së Çekisë në fushën e sigurisë kibernetike, shkëmbimit të njohurive dhe praktikave të mira, si dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Republika e Çekisë ka përvojë të konsiderueshme në transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike, gjë që përbën një mundësi shtesë për shkëmbimin e përvojave me institucionet e Maqedonisë dhe për avancimin e qëndrueshmërisë kombëtare të infrastrukturës kritike.

Ministrja Bozhinovska theksoi se Ministria vazhdon të punojë në digjitalizimin e proceseve, modernizimin e sistemeve dhe forcimin e sigurisë kibernetike, me qëllim që sektori energjetik të jetë i përgatitur për sfidat dhe rreziqet e reja teknologjike.

Seminari, në të cilin fjalime mbajtën ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Çekisë, Petr Macinka, shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim institucional ndërmjet dy vendeve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit