Policia e Kosovës prezantoi të enjten armatimin dhe dëshmi tjera relevante të gjetura dhe të konfiskuara gjatë operacioneve policore të zhvilluara në disa lokacione në veri të Mitrovicës.
Armatimi i konfiskuar është ekspozuar në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.
Lidhur me këto operacione policore dhe gjetjen e armatimit, të enjten kanë mbajtur një konferencë për media ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
Ministri Sveçla, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi, municioni dhe pajisjesh ushtarake në fshatrat përreth Kalludrës në Zubin Potok.
Duke folur në konferencën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Sveçla tha se zbulimi i arsenalit ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve të Kosovës.
“Ky arsenal armësh, municioni e pajisjesh është gjetur në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, një zonë tashmë e njohur për të gjithë ne. Pikërisht aty ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive, në të cilat janë gjetur mbetje mortore të 23 personave”, ka deklaruar Sveçla.







