Ish-kryetarë komunash, drejtorë e këshilltarë mes 94 të gjobiturve nga KSHPK-ja

Advertisement

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka shqiptuar 94 gjoba ndaj personave të zgjedhur dhe të emëruar për mosrespektimin e afatit ligjor për deklarimin e pasurisë dhe interesave.

Vendimet janë marrë më 29 korrik, ndërsa vlera totale e gjobave arrin në 28.200 euro, me nga 300 euro për secilin rast.

Në mesin e të sanksionuarve janë ish-kryetarë komunash, drejtorë të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike, këshilltarë komunalë, anëtarë të bordeve, gjyqtarë, deputetë dhe persona të tjerë të zgjedhur ose të emëruar.

Mes tyre janë edhe ish-kryetari i Strumicës, Kostadin Kostadinov, ish-kryetari i Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkoski, dhe ish-kryetari i Pllasnicës, Alija Jaoski.

Disa persona janë gjobitur më shumë se një herë, në raste të ndryshme, pas emërimit ose përfundimit të mandatit në funksione publike.

Pjesa më e madhe e rasteve lidhet me këshilltarë komunalë nga komuna të ndryshme, përfshirë Kumanovën, Zhelinën, Gazi Babën, Tearcën, Dibrën, Ohrin, Strumicën, Çashkën dhe Gostivarin.

KSHPK-ja sqaron se këto gjoba nuk nënkuptojnë se është zbuluar pasuri e padeklaruar, por janë shqiptuar për shkak të mosdorëzimit të deklaratës së pasurisë dhe interesave brenda afatit ligjor.

Në disa raste janë konstatuar edhe papajtueshmëri të funksioneve, përkatësisht ushtrimi i njëkohshëm i dy funksioneve për të cilat ligji parashikon ndalim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit