Pronarët e shtëpive dhe vikendicave në zonat rurale dhe pyjore duhet të pastrojnë me kohë hapësirat përreth dhe të krijojnë breza kundër zjarrit për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së flakëve, apeloi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angelov.
Ai theksoi se rreth shtëpive të braktisura dhe objekteve që përdoren rrallë duhet të krijohen zona të pastra me gjerësi rreth 10 metrash, në varësi të bimësisë përreth.
Sipas Angelovit, masat parandaluese janë veçanërisht të rëndësishme për shkak të ngrohjes globale dhe periudhave të gjata të thatësirës, të cilat në të ardhmen mund të sjellin zjarre më të shpeshta.
“Prej vitesh e përsëris këtë apel: pastroni oborret tuaja, pastroni hapësirën përreth shtëpive dhe vikendicave. Vetëm kështu mund të jeni të sigurt se zjarri nuk do ta përfshijë objektin tuaj nëse arrin deri aty”, tha Angelov.
Ai u bëri apel edhe autoriteteve lokale që të ndërmarrin menjëherë masa parandaluese kur një zjarr shfaqet pranë fshatrave dhe objekteve të izoluara. Sipas tij, duhet të krijohen në kohë breza kundër zjarrit me ndihmën e traktorëve ose buldozerëve, në mënyrë që flakët të mos arrijnë deri te shtëpitë.
Angelov tha se në rajonin e Mariovës zjarrfikësit dhe shërbimet tjera po shpenzojnë burime të konsiderueshme për mbrojtjen e objekteve që, sipas tij, mund të ishin siguruar paraprakisht.
Ai mohoi informacionet se në fshatin Çanishte janë djegur një numër i madh shtëpish, duke sqaruar se bëhej fjalë për disa, ndoshta rreth dhjetë objekte të vjetra dhe të braktisura.
Si një nga problemet kryesore Angelov përmendi edhe zjarret e shkaktuara nga faktori njerëzor, qoftë nga pakujdesia apo edhe me dashje. Sipas tij, ekzistojnë dyshime se në disa raste pyjet mund të jenë ndezur për motive hakmarrjeje ose me qëllim të prerjes së paligjshme të drurit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, duke theksuar se edhe një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë një zjarr të madh.
Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 35 zjarre në hapësira të hapura, ndërsa sot deri në orën 13:00 janë evidentuar 12 zjarre. Katër prej tyre janë shuar, ndërsa tetë janë ende aktive.
Angelov pret që numri i zjarreve gjatë ditës të rritet, pasi periudha nga ora 12:00 deri në 16:00 konsiderohet veçanërisht kritike për shfaqjen dhe përhapjen e zjarreve.
Ndër sfidat kryesore ai veçoi zjarrin në rajonin e Mariovës, zjarret në Studeniçan, si dhe zjarrin pranë Dragov Dolit, ku terreni i vështirë e vështirëson më tej shuarjen.
Zjarre janë raportuar edhe në zonat e Tajmishtes, Karaslarit, Kuckarevës, Gradishtes, Belushinos, Jakrenovës dhe Nikushtakut.






