Kërçeli i përgjigjet Hotit: Na trego si u shit thëngjilli për 8 euro për ton

Advertisement

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i është përgjigjur ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, pas kritikave të këtij të fundit për marrëveshjen e fundit lidhur me shitjen e thëngjillit.

Hoti ka deklaruar se marrëveshja e fundit dëmton rëndë sistemin energjetik, ndërsa Kërçeli ka rikujtuar një marrëveshje të bërë gjatë kohës së qeverisë Hoti, duke pretenduar se thëngjilli ishte shitur pa përfitim për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“Le të na tregojë si, pikërisht në kohën e qeverisë së tij, KEK-u ka shitur thëngjill për Maqedoninë e Veriut përmes rishitësve, pa fitim për vete, me çmim prej 8 euro për ton, me kontratë të papublikuar me operatorin Enertech”, ka shkruar Kërçeli në Facebook.

Ai pretendon se për këtë rast ekziston aktakuzë dhe se lënda është dërguar në Prokurori pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti.

“Nuk duhet të jesh ekonomist për të kuptuar se dikush këtu ka përfituar, vetëm se jo KEK-u”, ka deklaruar Kërçeli.

Pretendimet e Kërçelit janë pjesë e përplasjes politike me Hotin lidhur me marrëveshjet për shitjen e thëngjillit dhe menaxhimin e sektorit energjetik.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit