Gruda viziton Thaçin në Hagë: 16 shtatori do të jetë dita e lirisë

Advertisement

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.

Gruda tha se Thaçi ishte në disponim të mirë dhe me vullnet të lartë, ndërsa gjatë takimit kanë diskutuar për tema të ndryshme.

“Sapo përfundova vizitën te Presidenti Hashim Thaçi në Hagë. Ishte me disponim të mirë dhe me vullnet të madh. Biseduam gjatë për tema të ndryshme”, shkroi Gruda.

Ai vlerësoi lart gjendjen dhe forcën e Thaçit, duke shtuar se vizita i la përshtypjen se pas tij po mbetet “një pjesë e historisë më të re të Kosovës dhe lirisë sonë”.

Gruda deklaroi gjithashtu se 16 shtatori do të jetë, sipas tij, “dita e lirisë” për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Më 16 shtator 2026 është caktuar shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Fillimisht, vendimi ishte paraparë të shpallej deri më 19 maj, por për shkak të kompleksitetit të rastit afati ishte shtyrë fillimisht deri më 20 korrik, ndërsa më pas është caktuar data 16 shtator.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit