Mbetje kockore, që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave, janë zbuluar gjatë gërmimeve në Zubin Potok, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.
Zbulimi është bërë gjatë operacionit të gërmimit dhe ekshumimit në disa lokacione të dyshuara. Sipas vlerësimit fillestar të ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, mbetjet mund t’u përkasin të paktën 23 individëve.
Identiteti i viktimave ende nuk është konfirmuar. Përcaktimi i tyre pritet të bëhet pas ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe përfundimit të procedurave të nevojshme.
Gërmimet në Zubin Potok po zhvillohen prej disa javësh në tri lokacione, përfshirë Kalludrën e Vogël dhe Jakubën, në kuadër të një hetimi rreth dyvjeçar për dyshime për krime lufte.
Në lidhje me rastin po hetohen tre persona me inicialet J.R., M.J. dhe M.B., të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në paraburgim.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore do të vazhdojnë kërkimet dhe hetimet në terren për zbardhjen e plotë të rastit.






