Në pikën kufitare Tabanoc sot janë krijuar radhë të gjata të automjeteve me targa të huaja, drejtuesit e të cilave presin të paguajnë gjobat për kundërvajtje në trafik të regjistruara nga sistemi “Safe City”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, kishte deklaruar më herët se sistemi do të zbatohet për të gjithë drejtuesit që shkelin rregullat e komunikacionit në rrugët ku janë vendosur kamerat për kontrollin e shpejtësisë, pavarësisht nëse automjetet kanë targa vendore apo të huaja.
Sipas tij, nuk do të ketë përjashtime dhe çdo shkelje e evidentuar nga sistemi do të sanksionohet.
Në momentin e vendosjes së sistemit “Qyteti i Sigurt” ishte njoftuar se automjetet me targa të huaja nuk do të ndaloheshin gjatë daljes nga vendi për kundërvajtjet e regjistruara. Megjithatë, drejtuesit e tyre do të njoftohen se për të hyrë përsëri në Maqedoninë e Veriut duhet të kenë shlyer gjobat e papaguara.






