Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angelov, njoftoi se zjarri pranë fshatit Çanishte në rajonin e Mariovës së Prilepit vazhdon të jetë aktiv, por aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Sipas tij, janë ndërmarrë masa mbrojtëse pranë fshatit Krushevicë dhe nuk pritet që flakët të depërtojnë deri atje. Angelov theksoi se aktualisht nuk ka vatra aktive që lëvizin në drejtim të fshatit, megjithëse situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Ai bëri të ditur se zjarrfikësit po veprojnë edhe në zonën e fshatit Orle të Manastirit, ku me ndihmën e makinerive të rënda po krijohen korridore mbrojtëse për frenimin e përhapjes së zjarrit.
Në terren janë angazhuar ekipe zjarrfikëse nga Prilepi, njësi speciale të DMSH-së me automjete Pinzgauer, si dhe zjarrfikës vullnetarë nga Manastiri, Koçani dhe Vinica. Mbështetje nga ajri ka ofruar edhe helikopteri i policisë, i cili ka ndihmuar në shuarjen e flakëve në zona të paarritshme.
Angelov vlerësoi se situata aktualisht është stabile dhe se autoritetet kanë kontroll mbi rrezikun ndaj vendbanimeve, por paralajmëroi se kushtet mund të ndryshojnë në çdo moment.






