Orhan Murtezani nga sot ka nisur detyrën e re si Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Përmes një reagimi publik, Murtezani tha se kjo detyrë paraqet një kapitull të ri në karrierën e tij profesionale, por edhe vazhdim të angazhimit për forcimin e pozitës së vendit në familjen euroatlantike.
“Detyrë e re, përgjegjësi e njëjtë”, shkroi Murtezani, duke theksuar se synimi i tij është që Maqedonia e Veriut të jetë shtet i sigurt, aleat i besueshëm dhe vend që kontribuon dhe e ka zërin e vet në NATO.
Ai theksoi se në një periudhë kur siguria nuk mund të merret si e mirëqenë, anëtarësimi në NATO sjell jo vetëm privilegje, por edhe përgjegjësi.
“Për mua, ky është një kapitull i ri profesional, por njëherësh edhe vazhdim i të njëjtit përkushtim – që Maqedonia e Veriut të jetë e sigurt, aleate e besueshme dhe shtet që ka zërin dhe kontributin e vet në familjen euroatlantike”, theksoi Murtezani.






