Ethet e Nilit Perëndimor: Një tjetër pacient humb jetën në Klinikën Infektive

Advertisement

Një pacient 76-vjeçar, i cili ishte konfirmuar me formë neuroinvazive të Etheve të Nilit Perëndimor, ka ndërruar jetë në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive.

Drejtori i Klinikës, Fadil Cana, bëri të ditur se pacienti ishte trajtuar për 27 ditë, por për shkak të formës së rëndë të sëmundjes dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese, nuk ka arritur të mbijetojë.

Sipas Canës, aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtruar 20 pacientë me Ethet e Nilit Perëndimor, prej të cilëve 18 raste janë konfirmuar në laborator dhe dy konsiderohen të dyshuara klinikisht. Pesë pacientë me gjendje më të rëndë ndodhen në kujdes intensiv.

“Gjithsej katër persona të prekur nga Ethet e Nilit Perëndimor kanë vdekur në vend, ndërsa 15 janë shëruar dhe janë larguar nga Klinika”, deklaroi Cana.

Ai njoftoi gjithashtu se një pacient 24-vjeçar nga Qendra është shtruar mbrëmë dhe po konsiderohet si rast i dyshuar.

Cana theksoi se pacientët me formë neuroinvazive të infeksionit duhet të trajtohen në spital, ndërsa mosha e avancuar paraqet një faktor të rëndësishëm rreziku për zhvillimin e komplikimeve të rënda.

Sipas të dhënave të përgjithshme, rreth 80 për qind e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa rreth 20 për qind mund të kenë temperaturë, dobësi, të përziera, të vjella, dhimbje koke dhe dhimbje muskujsh.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit