Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ka nënshkruar kontratat për grante në kuadër të projektit të dytë për përmirësimin e shërbimeve sociale, me të cilat nëntë komuna në vend do të përfitojnë shërbime të reja për të moshuarit, personat e pafuqishëm dhe personat me aftësi të kufizuara.
Sipas ministrisë, grantet synojnë zhvillimin e shërbimeve sociale cilësore, të qasshme dhe të qëndrueshme në nivel lokal, të përshtatura sipas nevojave të qytetarëve dhe të orientuara drejt përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre.
Komunat përfituese janë Gazi Babë, Petrovec, Saraj, Valandovë, Plasnicë, Bogovinë, Jegunovcë, Prilep dhe Krivogashtan.
Në komunat Gazi Babë, Petrovec, Saraj dhe Valandovë do të vendoset shërbimi i ndihmës dhe kujdesit në shtëpi për personat që për shkak të moshës ose gjendjes shëndetësore nuk mund të kujdesen plotësisht për veten. Kujdestarët do të ofrojnë ndihmë në higjienën personale, ushqim, përgatitjen e vakteve, blerjen e produkteve dhe barnave, si dhe aktivitete të tjera të përditshme.
Ndërkohë, në Plasnicë, Bogovinë dhe Jegunovcë do të hapen qendra ditore për të moshuarit, ndërsa në Prilep dhe Krivogashtan do të funksionojnë qendra ditore për personat me aftësi të kufizuara.
Nga Ministria theksojnë se këto shërbime janë të destinuara kryesisht për personat mbi 65 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët me kapacitet të reduktuar funksional, me qëllim që ata të vazhdojnë të jetojnë në mjedisin e tyre familjar duke marrë mbështetjen e nevojshme.
Grantet do të mbulojnë ngritjen e shërbimeve dhe funksionimin e tyre gjatë 12 muajve të parë, ndërsa vlera e tyre do të varet nga lloji i shërbimit dhe kapaciteti i planifikuar.
“Përmes projektit të dytë për përmirësimin e shërbimeve sociale, vazhdojmë të mbështesim komunitetet lokale në krijimin e shërbimeve që u përgjigjen nevojave reale të qytetarëve dhe kontribuojnë në një sistem më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale”, theksojnë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.






