Pas pesë vitesh mungesë, Maqedonia e Veriut rikthehet në Eurovision 2027

Advertisement

Maqedonia e Veriut do të rikthehet në Eurovision pas një pauze pesëvjeçare, pasi ka konfirmuar pjesëmarrjen në edicionin e vitit 2027 të Festivalit Evropian të Këngës.

Konkursi do të zhvillohet në maj të vitit të ardhshëm në qytetin bullgar të Burgasit, ndërsa garat do të mbahen në “Arena Burgas”. Gjysmëfinalet janë planifikuar për 11 dhe 13 maj, ndërsa finalja më 15 maj 2027.

Maqedonia e Veriut mungon në Eurovision që nga viti 2022, kur vendi u përfaqësua në Torino nga Andrea me këngën “Circles”.

Kryetari i Burgasit, Dimitar Nikollov, ka deklaruar se në edicionin e ardhshëm pritet pjesëmarrje e gjerë e vendeve, ndërsa lista përfundimtare e shteteve pjesëmarrëse pritet të bëhet publike në muajt në vijim.

Ende nuk dihet se kush do ta përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në skenën e Eurovisionit. Në opinion dhe në rrjetet sociale tashmë përmenden disa emra të artistëve vendas, por deri tani nuk ka konfirmim zyrtar.

Gjithashtu mbetet e paqartë nëse përfaqësuesi do të përzgjidhet përmes një procedure të brendshme apo përmes një gare kombëtare.

Rezultati më i mirë i Maqedonisë së Veriut në Eurovision është ai i Tamara Todevskës, e cila në vitin 2019 me këngën “Proud” u rendit e shtata në finalen e madhe, ndërsa fitoi votat e jurive profesionale.

Rikthimi në garë pritet të rikthejë interesimin e publikut dhe skenës muzikore vendase, ndërsa në muajt e ardhshëm pritet të publikohen detajet për përzgjedhjen e këngëtarit dhe këngës për Eurovision 2027.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit