Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka zhvilluar takim pune me përfaqësues të Projektit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, ku është diskutuar bashkëpunimi i deritanishëm dhe aktivitetet e planifikuara për mbështetjen e reformave në sistemin gjyqësor.
Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e projektit në proceset kryesore reformuese në vend, përmes ekspertizës profesionale dhe ndihmës financiare.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, projekti ka kontribuar në përgatitjen e ligjeve që lidhen me Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për Gjykatat, si dhe në punën e Këshillit për Monitorimin e Reformave në Drejtësi.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi janë realizuar gjithashtu analiza dhe dokumente në përputhje me standardet evropiane, si dhe janë organizuar punëtori, debate publike dhe sesione pune.
Mbështetje është dhënë edhe për zbatimin e Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësinë 2024–2028 dhe Planit të Veprimit.
Në takim është rënë dakord që bashkëpunimi të vazhdojë dhe të intensifikohet, veçanërisht në aktivitetet që lidhen me përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Qëllimi i përbashkët, sipas Ministrisë, është forcimi i një sistemi gjyqësor modern, efikas, transparent dhe të pavarur, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.






