Përplasja politike mes pushtetit dhe opozitës është zhvendosur edhe te një nga çështjet më të ndjeshme për qytetarët, siguria e ujit të pijshëm. VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në dhe kryetarin e saj, Venko Filipçe, se përmes rrjeteve sociale po përhapin, siç thonë nga partia, dezinformata dhe po krijojnë panik te qytetarët lidhur me cilësinë e ujit në Shkup.
Nga partia në pushtet thonë se opozita, në mungesë të ideve dhe zgjidhjeve konkrete politike, po tenton të krijojë pasiguri te qytetarët përmes informacioneve që, sipas tyre, janë demantuar nga institucionet kompetente. “Derisa Venko Filipçe dhe Zoran Zaev janë me pushime në Egje, kanë vendosur të bëjnë politikë përmes përhapjes së dezinformatave dhe krijimit të frikës te qytetarët”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Nga partia vlerësojnë se përhapja e informacioneve për gjoja ujë të papërshtatshëm për pije në Shkup është veprim i papërgjegjshëm, duke theksuar se institucionet kompetente kanë reaguar dhe, sipas tyre, i kanë demantuar këto pretendime përmes të dhënave zyrtare. VMRO-DPMNE gjithashtu njofton se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë aktivitete për të përcaktuar origjinën e informacionit dhe përgjegjësinë për përhapjen e tij. “Filipçe dhe LSDM nuk duhet të luajnë as me besimin e opinionit, as me ndjenjën e sigurisë së qytetarëve, e më së paku me çështjet që lidhen me shëndetin e tyre”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga VMRO-DPMNE shtojnë se lufta politike, sipas tyre, ka kufijtë e saj dhe i bëjnë thirrje LSDM -së që, në vend të asaj që e quajnë “gënjeshtra dhe frikë”, të ofrojë vizion, zgjidhje dhe përgjegjësi. Në kumtesë, partia në pushtet thekson gjithashtu se Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE është e fokusuar në ekonomi, investime, paga, infrastrukturë dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Në të njëjtën kohë, VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në se po rikthehet, siç thonë, te “skenari i vjetër i dezinformatave dhe krijimit të kaosit”.






