Shkup, 15 gusht 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka hapur zyrtarisht aplikimin online për regjistrimin e studentëve në vitin akademik 2026/2027. Të gjithë maturantët dhe kandidatët e interesuar mund të aplikojnë përmes platformës elektronike të universitetit në portal.unt.edu.mk/apply, ku është vendosur edhe video udhëzuese për procedurën e aplikimit.
Sipas konkursit të publikuar, në dispozicion janë gjithsej 1.957 vende të lira në 8 fakultete, duke ofruar mundësi studimi në fusha të ndryshme akademike dhe profesionale.
Dorëzimi i dokumenteve për afatin e parë të regjistrimit do të realizohet më 24, 25 dhe 26 gusht 2026, në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Kandidatët duhet të dorëzojnë vërtetimin e aplikimit online së bashku me dokumentet origjinale të kërkuara sipas konkursit.
Universiteti ofron programe studimore në fakultetet e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Shkencave Informatike, Shkencave Teknike, Shkencave Teknologjike, Shkencave Sociale, Juridikut, Ekonomikut dhe Shkencave Humane.
Konkursi për studimet e ciklit të parë (Bachelor) dhe të ciklit të dytë (Master) është i publikuar në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht, ndërsa informacionet e detajuara mund të gjenden në faqen zyrtare të universitetit.
Universiteti “Nënë Tereza” fton të rinjtë që të bëjnë hapin e parë drejt së ardhmes së tyre akademike dhe profesionale duke u bërë pjesë e një institucioni që synon zhvillimin e arsimit cilësor dhe përgatitjen e kuadrove të reja për tregun e punës.






