Në Uashington ka nisur gara për pasardhësin e Karoline Leavitt, e cila pritet të largohet në fund të muajit nga posti i Sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi të mërkurën se Leavitt dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë familjes së saj të re.
Largimi i saj vjen më pak se tre muaj para zgjedhjeve të mesmandatit dhe mund të sjellë ndryshime në mënyrën se si administrata Trump do të komunikojë me publikun dhe mediat.
Leavitt ishte shndërruar në një prej zyrtareve më të rëndësishme të komunikimit të presidentit, duke mbajtur një profil shumë aktiv përballë gazetarëve dhe duke fituar besimin e Trumpit. Drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, e ka cilësuar atë si të pazëvendësueshme, shkruajnë mediat.
Megjithatë, ende nuk ka një favorit të qartë për këtë detyrë. Disa burime pranë administratës thonë se Trump mund të presë deri pas zgjedhjeve të mesmandatit për të marrë një vendim, ndërsa është diskutuar edhe mundësia që posti të mbetet përkohësisht bosh.
Në kampin republikan, megjithatë, ka zëra se pozicioni duhet plotësuar sa më shpejt, për shkak të rëndësisë së tij në prag të zgjedhjeve.






