Kujdes nga mashtrimi i ri në WhatsApp: Një klikim mund t’u japë sulmuesve qasje në llogarinë tuaj

Advertisement

Përdoruesit e WhatsApp duhet të tregojnë kujdes ndaj mesazheve që u kërkojnë të votojnë për një fëmijë, kafshë shtëpiake apo pjesëmarrës në ndonjë konkurs, pasi lidhja e dërguar mund të përdoret për një sulm phishing.

Sulmuesit mund të dërgojnë mesazhe nga numra të njohur dhe të paraqiten si miq ose familjarë, duke e bërë mashtrimin më të besueshëm.

Sipas paralajmërimeve, qëllimi është që viktima të klikojë në lidhje dhe, pa e kuptuar, të lejojë një pajisje tjetër të lidhet me llogarinë e saj në WhatsApp. Kjo mund t’u mundësojë sulmuesve qasje në biseda dhe kontakte, si dhe dërgimin e mesazheve në emër të viktimës.

Një nga teknikat e përdorura për këtë lloj sulmi njihet si GhostPairing, e cila shfrytëzon funksionin legjitim të WhatsApp për lidhjen e pajisjeve shtesë.

Si të kontrolloni nëse llogaria juaj është komprometuar?

Hapni:

WhatsApp → Cilësimet (Settings) → Pajisjet e lidhura (Linked Devices)

Kontrolloni listën e pajisjeve dhe, nëse shihni ndonjë pajisje që nuk e njihni, hiqeni menjëherë nga llogaria.

Ekspertët këshillojnë të mos hapni lidhje të dyshimta, edhe nëse ato vijnë nga persona që njihni. Nëse një mik ose familjar ju kërkon papritur të votoni në një konkurs, verifikojeni kërkesën përmes një kanali tjetër komunikimi.

Gjithashtu, mos konfirmoni lidhjen e pajisjeve të reja dhe mos skanoni kode QR të dërguara në mesazhe, nëse nuk e keni nisur vetë procesin.

Një mesazh nga një kontakt i njohur nuk garanton domosdoshmërisht se është i sigurt, pasi edhe llogaria e atij personi mund të jetë komprometuar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit